Kristian Koçibelli, avokati i Bledar Duros, mësuesit 41-vjeçar që akuzohet për ngacmim seksual ndaj dy nxënëseve të tij pretentoi sot se klienti i tij nuk ka konsumuar vepër penale, por një kundravajtje administrative.
Në një prononcim për mediat pas vendimit të Gjykatës për ta lënë në burg 41-vjeçarin, Koçibelli tha se të gjithë pretendimet që ka paraqitur nuk janë marrë parasysh nga Gjykata pavarësisht faktit se neni 230 i kodit të procedurës penale është një dispozitë ndaluese i cili i ndalon gjykatës të caktojë masën e sigurimit arrest me burg ndaj personave të alkoolizuar apo toksikoanë të cilët janë duke vazhduar një program rehabilitimi.
“Kemi paraqitur më shumë se 6 prova, vërtetim të Spitalit të Traumës në Tiranë dhe të Spitalit Korçë për shtrimet e tij në spital dhe programin e mjekes këtu në Korçë, ndërkohë që bashkëshorten e ka infermiere dhe e ndihmon të kurohet. Mendoj se e vetmja shkelje që ka kryer ky shtetas është një kundërvajtje administrative për shkak të komunikimit me nxënësit. Në këto kushte mendoj se duke qenë një kundërvajtje administrative mund të merrej një masë nga Drejtoria e shkollës apo drejtoria Arsimore por kurrsesi komunikimi që mund të ketë çdo person në rrjetet sociale nuk përbën një vepër penale”, tha avokati i mësuesit.
Ai theksoi se Bledar Duro ka pranuar faktin se ka qenë i alkoolizuar dhe në momentin që ka pasur komunikimit ka qenë nën efektin e alkoolit për faktin se vuan nga varësia ndaj alkoolit.
“Shtrimi i parë ka qenë në 2014 dhe i fundit në maj të këtij viti. Disa ditë para se të arrestohej ka qenë në komunikim me mjeken e tij dhe vazhdonte kurimin.
Ai shpjegoi se gjatë qëndrimit në shkollë nuk konsumonte alkool, por pas shkollës konsumonte alkool në mënyrë të tepruar. Provat që kam paraqitur para gjykatës janë të mjaftueshme që ndaj këtij shtetasi të kishte një masë më të butë.
Bledar Duro është një profesor prej 25 vitesh, ka qenë në disa shkolla dhe në gjithë këto vite ka pasur një respekt të jashtëzakonshëm te nxënësit e tij. Ai ka nxjerrë me qindra e mijëra punime të tij në Korçë. Komunikimi mes tij dhe nxënësve ka qenë me respekt”, u shpreh avokati.