Përfaqësuesja U19 e Kosovës ka shkruar historinë në futbollin e të rinjve, duke mposhtur Spanjën, me rezultatin dramatik 4:3, në një sfidë spektakolare të zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Kjo fitore mbresëlënëse vjen në kuadër të ndeshjeve kualifikuese të Grupit 10 për Kampionatin Evropian 2025 dhe konfirmon karakterin luftarak dhe talentin e jashtëzakonshëm të Dardanëve të udhëhequr nga Adil Maliqi.
Ndeshja filloi me dominimin e Spanjës, e cila shënoi dy herë brenda 26 minutash përmes Pau Prim dhe Oscar Marcos, duke marrë epërsinë 2:0 dhe duke e vënë Kosovën në një situatë të vështirë.
Megjithatë, Dardanët treguan një shpirt të jashtëzakonshëm gare dhe reaguan fuqishëm, duke përmbysur gjithçka në pjesën e parë. Në minutën e 28-të, Kosova ngushtoi diferencën në 2:1 me një gol të bukur të Dior Gërbovcit. Vetëm gjashtë minuta më vonë, Edion Gashi shënoi një gol spektakolar, duke barazuar rezultatin në 2:2 dhe duke ndezur atmosferën në stadium.
Në minutën e 41-të, presioni i Kosovës rezultoi në një gabim të portierit spanjoll Raul Jimenez, i cili pas një goditjeje këndi nga Edison Gashi e çoi topin në rrjetën e tij, duke kaluar Kosovën në avantazh 3:2 përpara pushimit.
Pjesa e dytë filloi me një reagim të shpejtë nga Spanja. Omar Janneh barazoi rezultatin në minutën e 47-të me një eurogol, duke kthyer ndeshjen në një duel të hapur dhe emocionues deri në fund.
Tensioni dhe dinamika në fushë arritën kulmin gjatë minutave të fundit. Në kohën shtesë, heroi i ndeshjes, Elvir Gashijani, realizoi një gol të jashtëzakonshëm, duke siguruar fitoren historike të Kosovës me rezultatin 4:3. Goli i tij ishte kulmi i një performance të shkëlqyer nga Kombëtarja U19.
Ndeshja e fundit e këtij turneu kualifikues për Kampionatin Evropian 2025 do të zhvillohet të martën, më 19 nëntor, në orën 12:00, kundër Ishujve Faroe, përsëri në stadiumin “Fadil Vokrri”. Tani Kosova duhet të fitojë në ndeshjen e tretë, por gjithçka rreth kualifikimit tutje vendoset nga rezultati i ndeshjes tjetër Austri-Spanjë.