Në rubrikën Opinion në News 24 u zhvillua një debat mes gazetarit Igli Celmeta dhe zëdhënësit të Ministrisë së Arsimit, Gerti Janaqi, në lidhje me vrasjen e një 14-vjeçari në afërsi të shkollës “Fan Noli” në Tiranë.
Çelmeta tha se në këtë ngjarje ka neglizhencë, duke shtuar se ngjarja ka qenë e paralajmëruar.
Ndërsa, Janaqi deklaroi nga ana e tij se oficerët e policisë në të gjitha shkollat e Shqipërisë kanë parandaluar raste të shumta të ngjarjeve të rënda. Ai tha se ndjen pikëllim të thellë për humbjen e jetës së një adoleshenti, duke shtuar se ka vend për përmirësim të situates së sigurisë të fëmijëve.
Igli Çelmeta: Prindërit nuk ishin njoftuar për konfliktin. Ne nuk dimë nëse adoleshenti vrasës ka marrë thikën që në mëngjes apo e ka marrë më vonë. Ngjarja është e paralajmëruar, ka neglizhencë. Ngjarja është zbardhur për 30 minuta se mjafton të hapësh kamerat e sigurisë, pra është e qartë.
Gerti Janaqi: Oficerët e policisë kanë parandaluar 581 raste të ndryshme të ngjarjeve të rënda në shkolla anembanë vendit. Kanë referurar në polici 242 raste. Rasti do të hetohet. Erdha me një ndjesë publike. Në shkolla ka 840 psikologë dhe 240 oficerë policie, që bëjnë punë tepër të mirë.
Igli Celmeta: Statistikat nuk kanë kuptim, kur fëmija theret me thikë.
Gerti Janaqi: Dhuna gjithmonë do ekzistojë, për sa kohë njerëzit jetojnë. Qoftë larg, në Serbi, tjetri hyri me automatik në klasë dhe kreu vrasje masive. Ka vend për përmirësim, duhet të shikohen instrumentet ligjorë. Të mos nxijmë realitetin. Mësuesi nuk është diktatori që dikton gjithçka.
(balkanweb)