Pesë persona kanë përfunduar në prangat e policisë së Gjirokastrës për veprën penale të “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.
Blutë njoftojnë se këta persona janë arrestuar, pasi nuk i janë bindur policisë për të ndaluar dhe janë larguar me shpejtësi e kanë braktisur automjetin.
Njoftimi:
Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Sektorin e Policisë Rrugore, Sektorin Operacional, DVP Fier dhe me Prokurorinë Gjirokastër, operacioni i koduar “Turn”, për goditjen e një rasti të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.
Arrestohen në flagrancë pesë shtetas.
Sekuestrohen 3 automjete dhe 5 celularë.
Gjatë operacionit, si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, u arrestuan shtetasit:
– M. B., 19 vjeç, A. T., 28 vjeç, J. S., 20 vjeç, I. Ç., 28 vjeç, të katër banues në Elbasan, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim dhe shtetasi D. K., 22 vjeç, banues në Elbasan, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Shtetasit I. Ç., dhe J. S., nuk i janë bindur shenjës së bërë nga shërbimet e Policisë për të ndaluar në aksin rrugor “Ura e Kardhiqit-Tepelenë”, por kanë vijuar me shpejtësi lëvizjen dhe kanë braktisur automjetin, pasi në automjetin e tyre kishin disa emigrantë nga vendet e treta që po i transportonin në drejtim të Shkodrës me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit drejt Malit të Zi.
Menjëherë, shërbimet e Policisë iu janë vënë në ndjekje dhe si rezultat i koordinimit me DVP Fier, në vend e quajtur “Rrethrrotullimi i Levanit”, është mundësuar kapja e tyre dhe i shtetasit D. K., i cili po ndihmonte shtetasit I. Ç., dhe J. S., që të largoheshin, duke i transportuar me automjetin e tij, pas braktisjes së automjetit të tyre që transportonin emigrantët.
Ndërsa shtetasit A. T., dhe M. B., qarkullonin me automjetin tip “BMW”, për të kontrolluar rrugën dhe për të sinjalizuar shtetasit I. Ç., dhe J. S., për prezencë të shërbimeve të Policisë.
Materialet procedurale kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.