Nuk ishin brilant, por Milan del me tre pikë nga transferta sllovake, thyen 3-2 Slovan Bratislava-n duke iu afruar zonës së sigurt në Champions League. Ekipi i Fonseca-s shfaqi edhe në këtë takim dy anët e medaljes, të rrezikshëm në sulm, por shumë të brishtë në mbrojtje, kjo ndeshje ishte edhe një herë konfirmimi i një sezoni me ulje-ngritje të forta.
Pulisic me një shkëputje të shpejt në sulm gjeti golin e avantazhit në minutën e 21-të, por festa nuk zgjati shumë pasi tre minuta më vonë sllovakët barazuan shifrat në 1-1. Menjëherë, me fillimin e pjesës së dytë, Fonseca aktivizoi Rafa Leaon dhe ishte pikërisht sulmuesi portugez që me një veprim të bukur riktheu Milan në epërsi në minutën e 68-të. “Djalli” nuk u mjaftua me kaq, por në aksionin pasues, Abraham përfitoi nga një gafe e mbrojtjes se Slovan Bratislava-s duke realizuar dhe golin e tretë. Ky gol duhet të mbyllte përfundimisht këtë takim, por vendasit ngushtuan shifrat në 2-3 në minutën e 88-të, por vetëm kaq, pa mundur t’i prishin festën Milanit.
Pavarësisht faktit që ekipi i tij pësoi 2 gola, Fonseca nuk shqetësohet: “Kemi fituar 3 ndeshjet e fundit duke shënuar 9 gola. Kemi bërë shumë gjëra pozitive, sigurisht duhet të përmirësojmë disa aspekte pasi edhe sot i lejuam disa raste”.
Vuan Milan, por shkëlqen Atalanta. Pa Berat Gjimshitin, me kapitenin kuqezi që pritet të rikthehet në fundjave në Serie A, ekipi bergamask “luajti tenis” me Young Boys duke triumfuar në shifrat 6-1. Retegui dhe De Ketelaere realizuan nga një “dopietë” për kokë, ndërsa festivalit të golave iu bashkuan edhe Kolasinac dhe Samardzic.
Suksesi i tre ekipeve italiane u festua edhe në mediat përtej Adriatikut: “Të gjithë përpara”, ishte titulli kryesor në të përditshmet italiane.
()