Granit Gjana, ish-Prefekt i Kukësit, u dënua nga GJKKO me 1 vit burg për shkelje të barazisë në tenderë. Gjana për disa kohë ishte edhe Kryebashkiak i komanduar në Bashkinë e Kukësit.
Për shkak të gjykimit të shkurtuar, Gjana nuk do të kryejë asnjë ditë burg, pasi dënimi i është konvertuar me 2 vite shërbim prove.
Gjithashtu, për një periudhë 5-vjeçare, Granit Gjana nuk ka të drejtë që të ushtrojë funksione publike.
Vendimi u dha nga trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Etleva Deda, Erjon Çela dhe Flojera Davidhi.
GJKKO dha vendimin në përputhje me kërkesën e bërë nga SPAK. Prokurorja e Prokurorisë së Posaçme, Manjola Kajana kërkoi më 28 tetor deklarimin fajtor të ish-prefektit të Kukësit, Granit Gjana, për abuzime me tenderat në kohën kur ai drejtoi Bashkinë.
Kajana kërkoi dënimin e Gjanës për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në dy raste, në total më 1 vit e 6 muaj burgim, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar mbetet 1 vit heqje lirie. Ndërkohë, prokurorja Kajana kërkoi pezullimin e dënimit dhe vendosjen e Gjanës në dy vjet shërbim prove. Po ashtu, u kërkua dhe dënimi plotësues me heqjen e të drejtës për ushtrimin e funksioneve publike për 5 vjet.
Kallëzimi për Gjanën u bë më 22 maj nga Florian Cengu, administrator i shoqërisë “Ufo Cengu” sh.p.k, që humbi tenderët me vlerë 21 milionë lekë, pasi Bashkia Kukës nuk i dha dokumentet.
Gjatë hetimeve, SPAK gjeti se Gjana e ka penguar garuesin “Ufo Cengu” sh.p.k, në mënyrë të padrejtë, duke mos lëshuar dokumentin bashkiak, mungesa e të cilit solli skualfikimin nga dy procedurat e tenderit të karburanti.